Komisioni për Buxhet miraton planifikimin financiar të RTK-së

Komisioni parlamentar për Buxhet ka miratuar të mërkurën planifikimin financiar të Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, me buxhet të paraparë 4 milionë e 480 mijë euro nga buxheti i Kosovës, raporton KosovaPress.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komisionit theksuan sfidat financiare që RTK-ja ka përballuar gjatë vitit 2025, përfshirë vonesat në pagesën e pagave, borxhet e kaluara dhe rritjen e pagës minimale. Deputetët ngritën edhe shqetësime mbi menaxhimin e institucionit dhe largimin e disa punëtorëve, ndërsa drejtuesit e RTK-së thanë se të gjitha kontratat janë trajtuar sipas ligjit dhe rregullativës së brendshme.
Drejtori i financave të RTK-së, Gazmend Rexhepi, prezantoi planifikimin për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
“Sa i përket planifikimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke u mbështetur edhe në ligjin për ndarjet buxhetore të këtij viti, Radio Televizioni i Kosovës, të hyra nga buxheti i Kosovës e ka të paraparë 4 milionë e 480 mijë euro, të hyra nga burimet vetanake 610 mijë euro, të hyra nga donacionet janë 8 mijë e 750 euro. Të hyrat e përgjithshme për gjashtëmujorin e parë janë 5 milionë e 98 mijë e 750 euro, ndërsa sa i përket planifikimit të shpenzimeve për pagat e personelit janë 3 milionë e 786 mijë e 743 euro, apo nëse përkthehet në përqindje i bjen 85 për qind e buxhetit të ndarë nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi tha se viti 2025 ka qenë sfidues për RTK-në për shkak të mosfunksionalitetit të bordit dhe mungesës së autoritetit nga themeluesi, Kuvendi i Kosovës. Ai theksoi se gjatë vitit janë hasur dy momente kritike ku është rrezikuar pagesa e pagave të punëtorëve, një situatë që sipas tij nuk ka ndodhur më parë në historinë e RTK-së.
“Viti 2025 ka qenë një vit shumë sfidues për Radio Televizionin e Kosovës për shkak të mosfunksionalitetit të bordit dhe të themeluesit të Radio Televizionit të Kosovës që është Kuvendi. Gjatë vitit të kaluar, në aspektin financiar, ne jemi ballafaquar me dy momente shumë të vështira ku është rrezikuar, ka ardhur edhe deri te mospagesa e pagave të rregullta të punëtorëve tanë, gjë që është hera e parë në historinë shumëvjeçare të RTK-së. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së komisionit për buxhet i cili është i autorizuar që të bëjë alokimin e mjeteve, pra të autorizojë thesarin e shtetit që ta bëjë një gjë të tillë. Si zgjidhje emergjente, ne në atë kohë patëm kërkuar një kredi nga qeveria, e cila është aprovuar në vlerë prej 2 milionë e 540 mijë euro për të financuar një tremujor duke filluar nga muaji korrik deri në muajin shtator. Mirëpo, për shkak të moskonstituimit dhe mosfunksionalizimit të plotë të Kuvendit, kriza është përsëritur edhe në muajin nëntor, kështu që edhe pagat e muajit nëntor dhe ato të tetorit janë dhënë me vonesë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga qeveria, nga fondi rezervë, ku është bërë një zgjidhje e përkohshme financiare”, ka theksuar Hundozi.
Hundozi ka theksuar edhe sfidat tjera më të cilat u përball RTK.
“Ne jemi ballafaquar me sfida të ndryshme, me borxhe nga e kaluara, me kërcënime nga ana e përmbaruesve për shlyerjen e këtyre borxheve, me ngritjen e çmimeve nga ana e operatorëve ekonomikë, së fundmi edhe me ngritjen e pagës minimale, e cila ka implikime edhe në buxhetin tonë, si në rastin me punëtorët tonë të cilëve u është dashur që t’u ndryshohet kontrata e punës për të përmbushur këtë obligim ligjor, dhe po ashtu edhe me korrigjimin e kontratave me operatorët ekonomikë, të cilët kanë qenë të detyruar që t’i ndryshojnë çmimet e tyre për t’i paguar punëtorët e tyre në sigurimin fizik dhe atë të pastrimit, shërbime këto të cilat i shfrytëzojmë nga operatorët e pavarur”, ka shtuar Hundozi.
Derisa deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, ngriti shqetësimin për menaxhimin e RTK-së, i cili nënvizoi largimin e disa gazetarëve dhe punëtorëve duke pyetur nëse kjo lidhet me performancën apo bindjet politike.
“Edhe ajo që po dua me ngrit si shqetësim është problemi i menaxhimit të RTK-së, te mënyra si po menaxhohet RTK-ja. Se ne kemi edhe dhjetëra televizione private në Kosovë që funksionojnë normalisht, kurse RTK-ja ka një problem të vazhdueshëm edhe në kuptimin e menaxhimit të financave. Po së fundi, fatkeqësisht, kemi probleme edhe me gazetarët, me punëtorët që punojnë në RTK. Shumë prej tyre po largohen nga puna, edhe sigurisht që dojmë me ditë si komision, pse ata po largohen nga puna? A kanë probleme me punën që po e kryejnë, apo po ndiqen në baza të bindjeve të tyre politike partiake, apo ku ashtë problemi? Për shkak se është shqetësuese mënyra se si RTK-ja i largon nga puna shumë gazetarë, sidomos viteve të fundit”, tha ai.
Hundozi u përgjigj se gjatë periudhës së tij nuk është larguar asnjë punëtor në kuptimin e ndërprerjes së kontratës, dhe rastet e përmendura lidhen vetëm me skadimin e kontratave të përkohshme, të cilat janë trajtuar sipas procedurave ligjore dhe rregullativës së RTK-së.
“Gjatë kohës sa kam qenë unë ushtrues detyre i drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së nuk është larguar në kuptimin e plotë të fjalës asnjë punëtor nga puna. Rastet që i përmendët kanë të bëjnë me dy punonjës tanë, të cilëve u ka skaduar kontrata e punës me afat të caktuar. Kështu që nuk kemi të bëjmë me një ndërprerje të marrëdhënies së punës, mirëpo me skadim të kontratës së punës. Këtë e kemi edhe në raport zyrtar të Inspektoratit të Punës, pas ankesës që punonjësja në fjalë, Edina, e ka bërë atje dhe sipas këtij raporti zyrtar, RTK-ja si punëdhënës i ka respektuar të gjitha procedurat ligjore edhe rregullativën e vet të brendshme dhe nuk ka asnjë shkelje në këtë drejtim”, tha ai.
Në anën tjetër, anëtari i VV-së, Valon Hoti, pyeti pse është urgjent miratimi i raportit pa pasur kohë për ta shqyrtuar plotësisht. Për këtë, kryetari i komisionit, Enver Haliti, tha se urgjenca lidhet me mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe RTK-ja të mos mbetet pa buxhet, duke evituar përsëritjen e krizës së vitit të kaluar.
